Së fundmi kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, nisi një metodë të re për t’i dhënë përgjigje akuzave të ndryshme të bëra ndaj mënyrës së tij të qeverisjes.
Këtë Rama e quajti “Sy m’sy”, dhe na zbuloi se çdo ditë t’i përgjigjet komentuesve për çështje të ndryshme.
Ditën e sotme kryeministri zgjodhi t’i përgjigjej një komentuesi që i kërkon të bëjë më shumë për pensionet dhe ujin e pijshëm.
“Të lumtë zoti kryeministër, avash avash po e rregullon Shqipërinë. Por me ujin e pijshëm dhe me pensioniet nuk po punon mirë. Duhet një vëmendje më e madhe ndaj këtyre dy çështjeve kryesore për popullin dhe pensionistët. Respektoji më shumë”, ishte komenti që kryeministri zgjodhi t’i përgjigjej ditën e sotme.
Kreu i qeverisë, në përgjigjen e tij tha se PS është e vetmja qeveri që ka bërë dhe mund të vijojë të bëjë akoma më shumë për pensionistët.
Ndërsa më tej ai u ndal dhe te reforma e pensioneve dhe gjithashtu dy bonuset që do të marrin pensionistët, atë të fundvitit dhe bonusin e pranverës që u miratua dy ditë më parë nga Këshilli i Ministrave.
Rama theksoi se ky bonus do të vijojë edhe gjatë viteve të tjera.
Rama: E mira s’ka fund dhe borxhi i kësaj shoqërie ndaj pensionistëve, qoftë atyre që jetuan diktaturën, qpftë atyre që jetuan rrumpallën pa shtet të viteve të tranzicionit nuk lahet kurrë. Por nëse ka një qeveri që ka bërë dhe mund të bëjë akoma më shumë për pensionistët është vetëm kjo qeveri e Partisë Socialiste. Ishte kjo qeveri që bëri reformën e pensioneve dhe mundësoi që kush ka dalë në pension 10 vitet e fundit të ketë një pension konsiderueshëm më të lartë se kush ka dalë më parë. Është kjo qeveri që ju dha pensionistëve pak javë më parë plot 100 milionë euro si bonus për vitin e ri, dhe do t’i japë për herë të parë një bonus të dytë në pranverë dhe do të mbajë dy bonuse në vit. Këto janë fakte të kujdesit të vazhduesëm ndaj pensionistëve. Ne do të ndajmë me ta në çdo hap pjesën e tyre të merituar nga rritja tanimë e pandalshme e ekonomisë.
Ata që s’kanë dhe s’do kenë asgjë në dorë, që nga një katran i madh te disa katranë të vegjël pa cipë dhe pa nishan, ofrojnë për pensionistët qilima fluturues, qilima si trashëgimtarë të denjë të politikës ekonomike të Sudes dhe të Xhaferrit. Por, mos ta harrojë askush, pensionistët nuk e harrojnë se kush e bëri Shqipërinë lesh e li dhe e dinë aritmetikën më mirë se sa Lulat e rinj dhe e treta e kanë më të qartë se kushdo tjetër se ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne ky vend as ka pasur as nuk gjen dot dhe për nja 10 vjet të tjera.


