Scholz theksoi rëndësinë e solidaritetit: “Dhe ne jemi një vend që qëndron bashkë. Edhe kjo është ndjerë fuqishëm në ditët e fundit në Magdeburg.” Ai vlerësoi ndihmën dhe mbështetjen e ofruar nga qytetarët në këtë moment krize. “Prej kësaj mund të marrim forcë – sidomos në kohë të vështira si këto,” tha kancelari.
Të premten, më 20 dhjetor 2024, një shtetas saudit përplasi qëllimisht një makinë në një treg të Krishtlindjeve në Magdeburg, duke lënë pas pesë të vdekur dhe mbi 200 të plagosur. Kjo ngjarje u shfrytëzua nga grupe të caktuara për të nxitur dhunë ndaj të huajve.
Apel për pjesëmarrje në zgjedhje
Scholz bëri thirrje për përgjegjësi dhe pjesëmarrje aktive në zgjedhjet parlamentare, që zhvillohen më 23 shkurt 2025. “Se si do të vazhdojë Gjermania, këtë e vendosni ju – qytetaret dhe qytetarët,” tha Scholz.
“Jo ata që zotërojnë mediat sociale,” shtoi ai, pa përmendur me emër pronarin e platformës X, Elon Musk. Miliarderi amerikan së fundmi kishte mbështetur partinë AfD në një opinion të botuar nga gazeta gjermane Die Welt, gjë që kishte shkaktuar kritika.
Në fjalimin e tij, Scholz vuri theksin edhe te sfidat e Gjermanisë, duke përmendur ekonominë, inflacionin dhe mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën në përballjen me agresionin rus. Kancelari tha se të gjitha këto sfida mund të kalohen duke qëndruar së bashku: “Me respekt ndaj njëri-tjetrit, me besim dhe me angazhim për njëri-tjetrin, ne mund të arrijmë gjëra të mëdha bashkërisht.”
Traditë prej vitit 1952
Tradita e mbajtjes së fjalimit të fundvitit nga kancelari gjerman daton që nga viti 1952, kur Konrad Adenauer mbajti për herë të parë një fjalim të tillë. Që atëherë, është kthyer në një moment të rëndësishëm të komunikimit politik në Gjermani. Fjalimi transmetohet në televizionet publike më 31 dhjetor në mbrëmje. /dw


