Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga festa e madhe për ndërrimin e viteve, Bashkia e Tiranës ka menduar që për çdo natë, nga sot deri më 31 Dhjetor të sjellë koncerte festive me artistët më të njohur të momentit për të gjithë kryeqytetasit dhe turistët.
“Sonte (26 dhjetor) do të kemi këngëtarë të mirënjohur siç është Ermal Fejzullahu, për të pasur në netë të tjera me Dj të ndryshëm. Kemi dhe një natë me këngë popullore, artistë shumë të mirënjohur siç është Ylli Baka, Eli Fara, Artjola Toska”, tha përgjegjësja e drejtorisë së promovimit në Bashkinë Tiranë për TV Klan.
Festa do të kulmojë në 31 Dhjetor, ku veç koncertit të përvitshëm, qytetarët do të ndjekin një spektakël fishekzjarresh për 15 minuta.
“Rreth orës 22:30 ne vazhdojmë programin artistik dhe janë shumë këngëtarë të momentit siç është Elgit Doda, Xhensila Myrtezaj dhe Ardit Çuni. Gjithashtu ne kemi një spektakël fishekzjarresh diku te 10-15 minuta. Policia bashkiake dhe të gjithë partnerët e tjerë do të jenë në dispozicion të qytetarëve”.


