Deputeti i PD-së Dashnor Sula, është pyetur se a do të marrë pjesë në protestën e Partisë së Lirisë përpara SPAK, që pritet të zhvillohet nesër (6 dhjetor).
Sula deklaroi se ai vetë personalisht nuk do të marrë pjesë në këtë protestë.
Ai shtoi se nuk ka një vendim nga grupi i PD për të marrë pjesë në protestën e PL për lirimin e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Megjithatë, Sula shtoi se qytetarë të ndryshëm mund të dalin në protestë dhe kjo është diçka normale në demokraci.
“Nga nesër, nis një lëvizje e madhe, teksa PD do të ketë kontakte me çdo qytetar. Do të trokasim në çdo derë të qytetarëve shqiptarë. Sa i përket pyetjes suaj se a do marr pjesë në protestën e PL para SPAK, di të them se personalisht nuk do marr pjesë në këtë protestë. Nuk ka një vendim nga grupi parlamentar i PD për të marrë pjesë në protestë përpara SPAK. Ne nuk na kërkoi vetë Berisha, që të protestojmë para SPAK, edhe pse lideri demokrat qëndroi në “arrest shtëpie” shumë kohë. Unë gjithmonë kam qenë në mbështetje të institucioneve të drejtësisë. Në këtë vend, në çdo institucion ka probleme dhe ne thjesht kritikojmë, kur gjërat nuk shkojnë siç duhet. Nëse do dalin qytetarë të protestojnë para SPAK, jemi në demokraci dhe çdokush ka të drejtën e protestës. Do iu bëja thirrje qytetarëve mos ta paragjykojnë opozitën. Mund të kemi problemet tona, që janë të zgjidhshme, por nuk krahasohemi asesi me këtë maxhorancë, e cila po na çon në shkatërrim”, tha Sula.


