Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ditën e sotme doli me njoftimin zyrtar në lidhje me mega-operacionin e organizuar në Elbasan, ku u godit një organizatë kriminale.
Sipas SPAK organizata kriminale në fjalë drejtohej nga Suel Çela, i shpallur në kërkim nga organet ligjzbatuese.
Nga ky operacion u zbardhën dhe disa ngjarje të rënda përfshirë atentatin ndaj Ardian Çapjas në vitin 2020, vrasjen e Bledar Muçës në Belgjikë dhe atentatin ndaj Elton Kilës i njohur si “Oti i Elbasanit”.
Tentativa për ekzekutimin e Adian Çapjas
Një nga ngjarjet e zbardhura nga SPAK është atentati ndaj Ardian Çapjas, i cili u qëllua me snajper në banesën e tij në Krastë të Elbasanit më 8 qershor 2020.
Çapja mori një plumb poshtë supit, ndërsa pas ngjarjes ai u dërgua me urgjencë në spitalin e Traumës dhe iu nënshtrua një operacioni. Ky atentat ishte i treti ndaj Çapjas, pas dy atentateve të mëparshme në vitet 2016 dhe 2017.
Hetimet e SPAK konfirmojnë se atentati ndaj tij u krye me urdhër të Suel Çelës, dhe se snajperisti Prekë Kodra është personi i dyshuar që kreu qitjen.
Kodra rezulton një person i shpallur në kërkim për operacionin “Metamorfoza”.
Tentativa për zhdukjen e Elton Kilës
Organizata kriminale që drejtohej nga Suel Çela ishte e përfshirë në disa tentativa për të eliminuar rivalët e saj, përfshirë dhe atentatin ndaj Elton Kilës, i njohur ndryshe si “Oti i Elbasanit”.
Ky atentat, i realizuar me kërkesë të Çelës, mbeti në tentativë.
Hetimet e SPAK zbuluan se emri i Kilës është përmendur edhe nga i penduari i drejtësisë Henrik Hoxhaj, i cili ka dëshmuar se Nuredin Dumani kishte premtuar 70,000 euro për eliminimin e tij.
Vrasja e Bledar Muçës
Organizata e drejtuar nga Suel Çela dyshohet se qëndron edhe pas atentatit vdekjeprurës ndaj krahut të djathtë të grupit “Çapja” në Elbasan, i cilësuar edhe si killeri i tyre, Bledar Muça.
SPAK akuzon organizatën kriminale të Suel Çelës se fshihet pas vrasjes së Bledar Muçës ndodhur në janar të 2022 në Belgjikë. Në njoftimin e SPAK thuhet se ky grup “Siguroi kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasje në dëm të E. K. dhe Bledar Muça.
Vrasja e tij u bë në Belgjikë më 22 Janar të vitit 2022, teksa edhe më parë i kishte shpëtuar dy atentateve të tjera, njëri prej të cilëve në Elbasan. Muça cilësohej si njeriu më i afërt i numrit dy të organizatës, Florenc Çapja, që fshihet në Dubai. Për këtë vrasje SPAKa ka lëshuar urdhërarrest ‘arrest me burg’ edhe për Sergei Hasanpapaj, i arrestuar në Belgjikë. Po për të njëjtë ngjarje, në tetor të këtij viti u arrestua Marsel D. 43-vjeçari u arrestua në aeroportin e Valencias.
Mediat belge ishin ato që zbuluan se bëhet fjalë për shqiptarin Marsel D., i kërkuar për vrasje në Belgjikë, më 22 janar 2022 në Aartselaar. Ai ndihmoi ekzekutorët duke u treguar lëvizjet e Muçës.
LEXO EDHE:
Detaje nga operacioni i SPAK/ Ish-gjyqtarët e pësuan pasi u dolën emrat në bisedat e Sky ECC


