SHKODËR– Janë publikuar detaje të reja nga atentati në Dobraç. Bëhet me dije se është arrestuar personi që kishte vjedhur ‘Range Rover-in’.
Burimet bëjnë me dije se dy javë më parë policia ka arrestuar në Shkodër personin që kishte vjedhur makinën tip “Range Rover Sport” në Durrës që u përdor nga autorët e krimit dhe u dogj pas vrasjes.
Vënia e tij në pranga është mbajtur e fshehtë nga grupi hetimor me pretendimin se mund t’i ndihmojë ata në zbardhjen e masakrës.
Ky shtetas që ka vjedhur makinën është marrë disa herë në pyetje për të treguar nëse ka djeni për rrethanat e vrasjes në Dobraç, por në asnjë moment ka pranuar të japë deklarime.
Dëshmia e tij, konsiderohet kyçe për policinë e Shkodrës dhe prokurorët e SPAK që po hetojnë çështjen. Mjeti rezultoi të ishte vjedhur dhe denoncuar nga pronarët më 17 prill të këtij viti.
Kujtojmë se nga atentati i 30 Tetorit në Dobraç të Shkodrës, humbën jetën katër persona./Radar.al


