Pak ditë më parë u bë publik lajmi se Benet Beci, aktualisht kryetar i Bashkisë së Shkodrës, është vënë zyrtarisht nën hetim nga SPAK. Mësohet se Beci po hetohet për posti që ka pasur në KESH.
Prokurorët vendosën ta marrin në hetim Becin pasi emri i tij u zbulua pas sekuestrimit të telefonit të bashkëshortes së Evis Berberit.
Ish-drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, u arrestua nën dyshimet për korrupsion. Por bashkëshortja e tij ka punuar në KESH dhe ka patur komunikime që lidhen me Becin.
Gjatë hetimeve për Berberin, SPAK ushtroi kontroll në bankën e ish-kreut të Autoritetit Rrugor dhe sekuestroi celularin e tij dhe të bashkëshortes, që u zbërthyen më pas nga hetuesit e BKH-së.
Burimet bëjnë me dije se bashkëshortja e Berberit ka qenë zyrtare e Korporatës Elektroenergjetike shqiptare dhe në celularin e saj janë zbuluar komunikimeve me Benet Becin, atëkohë drejtues i Korporatës, që lidheshin me disa kontrata për shitblerjen e energjisë.
Pas sigurimit të këtyre të dhënave, SPAK thirri në pyetje dhe më pas i komunikoi kryebashkiakut se është nën hetim, ndërsa janë marrë dëshmitë e dhjetëra zyrtarëve e ish-zyrtarëve të KESH.
Burimet thonë se veç Benet Becit nën hetim janë dhe persona të tjerë, përfshirë dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.


