TIRANË– Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka uruar nga qelia Donald Trump për fitoren e tij kundër Kamala Harris.
Edhe pse ndodhet në qeli prej datës 21 Tetor, duket se Metën nuk e ka ndaluar asgjë të uroj Trumpin, si president i 47-të, i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndërkohë ajo që bie në sy është fotoja që Meta ka zgjedhur të postojë krahas urimit, ai ka publikuar një foto ku shihet me Trump dhe bashkëshorten e tij, por nuk është një foto e dy çifteve.
POSTIMI I PLOTË I METËS:
Triumfi Juaj është një mesazh i çmuar që kombi amerikan i jep botës se fati i demokracisë është vetëm në duart e qytetarëve dhe se sa të shtrenjta janë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, demokracia dhe pluralizmi, shteti i së drejtës dhe barazia para ligjit edhe për qytetarin e thjeshtë përballë përpjekjeve dhe qëllimeve sfiduese anti-vlerë të aktorëve lokalë, rajonalë dhe globalë.
Besimplotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën lidershipin Tuaj, Zoti President, do të vazhdojnë të jenë frymëzim dhe mbështetje e pazëvendësueshme për popullin shqiptar.
Partia e Lirisë do të mbetet gjithmonë e angazhuar për forcimin e mëtejshëm të Partneritetit dypalësh Strategjik në fushën e sigurisë dhe në NATO dhe besoj se, nën drejtimin Tuaj, ne do t’i forcojmë këto lidhje dhe zgjerojmë më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat, në interes të të dy vende dhe popujve tanë miq.


