Uragani Milton ka goditur tokën dhe po përhapet në të gjithë Floridën raporton BBC, duke sjellë tornado dhe përmbytje vdekjeprurëse dhe duke lënë më shumë se dy milionë shtëpi dhe biznese pa energji elektrike.
Vdekje nga uragani janë konfirmuar në St Lucie County në bregun lindor të Floridës, por numri është i paqartë.
Guvernatori i shtetit, Ron DeSantis, thotë se rreth 125 shtëpi – shumë prej tyre të lëvizshme – janë shkatërruar.
Uragani, i cili ishte kategoria e pestë, është reduktuar në kategorinë një – por ende po bën kërdinë, shkruajnë mediat e huaja.
Më shumë se 2.6 milionë shtëpi dhe biznese janë pa energji në të gjithë Floridën, sipas të dhënave të fundit.
Ka gjithashtu një efekt të dëmshëm në shtetet e tjera – rreth 70,000 qytetrë janë pa energji në Karolinën e Veriut dhe 37,000 në Gjeorgji.
Sipas Qendrës Kombëtare të Uraganëve, Miltoni lëvizi drejt verilindjes përgjatë Gjirit të Meksikës dhe iu afrua tokës përreth Gjirit të Tampës në Florida, të mërkurën vonë në mbrëmje.
Prej mëngjesit të së mërkurës, Milton ka lëvizur i shoqëruar nga erëra me shpejtësi maksimale e të qëndrueshme prej rreth 249 km/h.
Pse është aq i fuqishëm Milton?
Ujërat jashtëzakonisht të ngrohta në Gjirin e Meksikës këtë vit kanë nxitur rritjen e shpejtë të Miltonit. Ujërat në sipërfaqen e oqeanit kanë arritur temperatura rekord prej rreth 32 gradë Celsius gjatë dy sezoneve të fundit verore, sipas Administratës Kombëtare mbi Oqeanet dhe Atmosferën.


