Arrestimi i shqiptarit Bektash Muka është shpallur i pavlefshëm nga një gjykatë në Maltë. Muka ishte arrestuar pasi dyshohej për plagosjen e një personi.
33 vjeçari, i cili jeton në Sliema, u akuzua ndër të tjera për bashkëpunim në plagosjen e një siriani.
Bektash Muka është i njohur për policinë, pasi akuzohet edhe për grabitjen e një argjendarie në Tignè në vitin 2017, ku mbetën të plagosur dy punëtorë. Ai u arrestua në vitin 2018, pas më shumë se një viti në arrati.
Sipas policisë, bazuar në dëshminë e të plagosurit, siriani raportoi se të premten pasdite ishte duke pirë një kafe dhe u sulmua nga tre burra që dolën nga një automjet i bardhë.
Policia tha se ka pamje nga kamerat e sigurisë që tregojnë se çfarë ka ndodhur, si dhe të cilat identifikojnë edhe targën e makinës së përfshirë në incident.
Ata shtuan se mbrëmjen e së shtunës një rreshter ka pikasur këtë makinë që drejtohej nga njëri prej personave që shihen në video, i cili u ndalua dhe u arrestua. Ai tha se ka rezultuar se ky është Bektash Muka, i cili është vënë në arrest.
E pyetur nga magjistratja Giannella Camilleri Busuttil, prokuroria tha se i akuzuari nuk ka shkelur kushtet e lirimit me kusht për një çështje tjetër.
Gjykata e shpalli të pavlefshëm arrestimin e Mukës. Shqiptari u deklarua i pafajshëm për akuzat. Gjykata pranoi kërkesën për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes për sirianin dhe detyroi Bektash Mukën që të mos i afrohej apo kontaktonte në asnjë mënyrë me të


