TIRANË– Vincenzo Musacchio, avokat, eksperet i fushës dhe studiues i strategjive për të luftuar krimin e organizuar në Itali ka shkruar se strukturat italiane për emigrantët në Shqipëri mund t’i nënshtrohen infiltrimit, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, si botës së krimit vendas ashtu edhe asaj italiane.
Musacchio në një opinion ka theksuar se kontratat do të jenë në rrezik më të madh.
Për këtë motiv ai ka sugjeruar se vëmendja maksimale e gjyqësorit shqiptar duhet të jetë në sektorët ku krimi mund të zërë rrënjë: ndërtimi, transporti, qiratë, puna, hoteleria, shërbimet e sigurisë.
Sipas tij ndërtimi i dy qendrave për menaxhimin e emigrantëve të shpëtuar në det, përkatësisht në Shëngjin dhe Gjadër, sigurisht që do të jetë i rëndësishëm nga pikëpamja e përfitimeve ekonomike për dy organizatat kriminale.
“Ata që nuk e shohin këtë mundësi, për grupet kriminale shqiptare dhe italiane, dinë pak ose aspak për ‘mafiet e reja’ dhe metodat e tyre aktuale të funksionimit.”-shkruan Musacchio.
Ai thotë se Shqipëria dhe Italia t’i marrin parasysh këto rrethana specifike.
Ndër të tjera sjell në vëmendje se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, flet për mafien shqiptare si një problem margjinal dhe nën kontroll.
“Fatkeqësisht për të dhe për popullin shqiptar, me të cilin më lidh fort lidhjet e gjakut, mafia shqiptare tashmë ka marrë peshë të madhe në skenën kriminale ndërkombëtare. Është ndër liderët kryesorë në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe heroinës dhe bën pjesë në zonat e tranzitit të fentanilit në Evropë”.
Ai tregon se mafia shqiptare operon në mënyrë aktive në Holandë, Gjermani, Belgjikë, Angli dhe Itali, ku trafikon sasi të mëdha të lëndëve narkotike.
“Ajo ka një rol jo margjinal në trafikimin e qenieve njerëzore dhe armëve. Lidhjet e krijuara prej disa kohësh me mafien puliane dhe me ‘Ndranghetan’ e kanë bërë mafien shqiptare vendimtare në këtë lloj trafiku në Adriatik. Protokolli Meloni-Rama, nëse Italia dhe Shqipëria nuk miratojnë kundërmasat e duhura, mund të japë kontribut (me keqdashje apo neglizhencë, këtë do ta shohim me kalimin e kohës) për bizneset dhe investimet e lidhura ngushtë me flukset migratore në Adriatik.
Më tej thotë se përvoja e tij 30-vjeçare në këtë temë më sugjeron që sot ekziston ky rrezik.
Gjithashtu eksperti paralajmëron se as Italia dhe as Shqipëria nuk mund të lejojnë ta rrezikojnë atë, sidomos në këtë kontekst historik ku mafia shqiptare ka hyrë plotësisht në kategorinë e të ashtuquajturave “mafie të reja”.


