Zjarret e mëdha vijojnë të përhapen në jugperëndim të Francës dhe në disa zona të Spanjës, ndërsa temperaturat e larta dhe erërat e forta po vështirësojnë përpjekjet e zjarrfikësve për vënien nën kontroll të flakëve.
Në Francë, autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e rreth 250 mijë personave në rajonet Gironde dhe Landes, pasi zjarret po afrohen drejt zonave të banuara pranë qytetit të Bordeaux. Një zyrtar vendas deklaroi se situata mbetet e vështirë dhe se ekipet e emergjencës janë ende larg kontrollit të plotë të zjarreve.
Përballë përmasave të situatës, Franca ka angazhuar edhe ushtrinë për të mbështetur zjarrfikësit, duke krijuar zona mbrojtëse dhe duke pastruar terrenin për të penguar përhapjen e flakëve.
Ndërkohë, në Spanjë është shpallur gjendje e jashtëzakonshme për shkak të zjarreve masive. Ndryshimi i kushteve atmosferike ka ndihmuar ekipet e emergjencës në disa zona pranë Madridit, por kryeministri Pedro Sánchez paralajmëroi se ditët në vijim do të mbeten të vështira.
Autoritetet spanjolle konfirmuan edhe një viktimë në rajonin e Valencias, ku një burrë rreth të 70-ave u gjet i pajetë brenda automjetit të tij gjatë operacionit për shuarjen e një zjarri.
Në total, më shumë se 300 mijë persona në Francë dhe Spanjë janë detyruar të largohen nga banesat e tyre për shkak të zjarreve, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë punën për të kufizuar përhapjen e flakëve. Presidenti francez Emmanuel Macron premtoi mbështetje për zonat e prekura dhe deklaroi se vendi do të rindërtohet pas përfundimit të krizës.


