Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar Izraelin se do të dislokojnë dhjetëra avionë të tjerë furnizues me karburant, në një kohë kur tensionet me Iranin vijojnë të rriten dhe në Uashington po shqyrtohen skenarë të rinj ushtarakë.
Sipas tre zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë, vendimi lidhet me diskutimet e zhvilluara në Shtëpinë e Bardhë, ku presidenti Donald Trump ka analizuar opsione për zgjerimin e operacioneve ushtarake kundër Iranit.
Burimet bëjnë me dije se mes skenarëve të shqyrtuar përfshihen sulme ndaj infrastrukturës strategjike iraniane, goditje të reja mbi objektet bërthamore, si dhe sulme ndaj një kompleksi nëntokësor që dyshohet se përdoret për qëllime ushtarake.
Megjithëse presidenti amerikan nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar, zyrtarë të të dy vendeve nuk përjashtojnë mundësinë e një përshkallëzimi të operacioneve në ditët e ardhshme.
Aktualisht, ushtria amerikane ka rreth 30 avionë furnizues me karburant të vendosur në aeroportin ndërkombëtar Ben Gurion, pranë Tel Avivit, si dhe një numër të ngjashëm në aeroportin Ramon, në jug të Izraelit. Me mbërritjen e avionëve të rinj, prania amerikane pritet të rikthehet në nivelet e regjistruara në fillim të konfliktit.
Sipas zyrtarëve izraelitë, forcat amerikane preferojnë të operojnë nga aeroporti Ben Gurion, pasi bazat e tjera ajrore në rajon konsiderohen më të ekspozuara ndaj sulmeve të mundshme iraniane.
Tensionet vijojnë të rriten
Lëvizja e fundit vjen në një moment kur marrëdhëniet mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit janë përkeqësuar ndjeshëm. Forcat amerikane kanë kryer sulme ndaj objektivave iraniane në zonën e Ngushticës së Hormuzit dhe përgjatë bregdetit jugor të Iranit, ndërsa Teherani ka shtuar sulmet ndaj bazave ushtarake amerikane në rajon.
Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar se çdo sulm iranian ndaj Izraelit do të marrë një kundërpërgjigje edhe më të fortë.
Debat edhe brenda Izraelit
Dislokimi i avionëve amerikanë ka nxitur diskutime edhe brenda qeverisë izraelite. Prania e tyre në aeroportin Ben Gurion ka kufizuar kapacitetet operacionale të aeroportit dhe ka ngritur shqetësime për ndikimin në trafikun ajror, veçanërisht gjatë sezonit të verës.
Ministrja izraelite e Transportit, Miri Regev, ka kërkuar që një pjesë e avionëve të zhvendosen ose të reduktohet numri i tyre, ndërsa Ministria e Mbrojtjes dhe drejtuesit ushtarakë kanë kundërshtuar këtë propozim, duke argumentuar se nevojat operative kanë përparësi.
Sipas burimeve, administrata Trump i ka kërkuar qeverisë izraelite të lehtësojë vendosjen e avionëve shtesë, ndërsa vendimi përfundimtar mbi organizimin e tyre pritet të merret nga kryeministri Benjamin Netanyahu.


