Një 19-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e policisë italiane në Savona, pas një operacioni antidrogë që çoi në sekuestrimin e më shumë se 3 kilogramëve lëndë narkotike dhe një sasie parash të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti kriminal.
Sipas autoriteteve italiane, hetimet nisën në kuadër të luftës kundër shpërndarjes së drogës mes të rinjve. I riu kishte tërhequr vëmendjen e hetuesve për stilin e tij të jetesës, i cili nuk përputhej me të ardhurat e deklaruara, ndërsa rezultonte gjithashtu me precedentë penalë.
19-vjeçari u ndal pranë një qendre tregtare në Savona. Gjatë verifikimeve ai deklaroi se përdorte vetëm banesën e familjes, por policia kishte dokumentuar lëvizje të shpeshta edhe në një apartament tjetër, duke vendosur të ushtronte kontroll edhe në atë adresë.
Me ndihmën e qenit antidrogë Rey, efektivët zbuluan 1.03 kilogramë hashash, 2.145 kilogramë marijuanë dhe rreth 280 gramë kokainë. Sipas vlerësimeve të autoriteteve, lënda narkotike kishte një vlerë mbi 50 mijë euro në tregun e shitjes me pakicë.
Droga ishte fshehur në vende të ndryshme të banesës, përfshirë një magazinë dhe kuzhinën, ku ishte vendosur brenda enëve të ushqimit, dollapëve dhe frigoriferit, në përpjekje për t’iu shmangur kontrolleve.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi gjithashtu materiale për paketimin e lëndëve narkotike, dy telefona celularë dhe 1,400 euro cash. Sipas hetuesve, kjo shumë nuk justifikohej me të ardhura të ligjshme, pasi i riu rezultonte i papunë.
Pas arrestimit, 19-vjeçari u dërgua në burgun “Marassi” në Genova, ku do të qëndrojë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane, ndërsa hetimet për çështjen vijojnë.


