Një grua është arrestuar nga policia pasi dyshohet se ka vjedhur rreth 5 mijë euro nga një biznes i këmbimit valutor dhe transfertave të parave në Tiranë, vetëm pak orë pasi ishte punësuar.
Sipas informacioneve paraprake, e dyshuara, Kumrie Zika, ishte paraqitur si e interesuar për një vend pune në exchange-in që ndodhet në zonën e njohur si “Vorri i Bomit”. Pasi u pranua në punë, ajo nisi detyrën nën shoqërimin e një punonjësi tjetër.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se, në një moment kur kolegu i saj u largua për pak sekonda, gruaja dyshohet se mori rreth 5 mijë euro nga arka e biznesit dhe u largua me shpejtësi nga ambientet.
Menjëherë pas denoncimit, policia sekuestroi pamjet filmike, identifikoi të dyshuarën dhe e arrestoi disa orë më vonë në zonën e “21 Dhjetorit”. Ajo pritet të dalë përpara gjykatës, ku do të përballet me akuzën e vjedhjes.
Burime bëjnë me dije se kjo nuk është hera e parë që Zika dyshohet se përdor këtë skemë. Sipas tyre, ajo ka ndjekur të njëjtën metodë edhe në disa raste të tjera, duke u punësuar fillimisht dhe më pas duke vjedhur shuma më të vogla parash.
Emri i saj rezulton i njohur edhe në hapësirën publike, pasi në të kaluarën ka qenë e ftuar në emisione televizive, ku ka dhënë opinione për tema të ndryshme.


