Bilanci i zjarreve masive që kanë përfshirë jugun e Spanjës ka shkuar në të paktën 12 viktima, ndërsa rreth 66 mijë hektarë tokë janë shkatërruar nga flakët që prej së enjtes.
Autoritetet spanjolle bëjnë me dije se situata ka nisur të përmirësohet falë ndryshimit të kushteve atmosferike, të cilat kanë ndihmuar ekipet e emergjencës në operacionet për vënien nën kontroll të zjarreve.
Kreu rajonal i shërbimeve të shpëtimit, Antonio Sant, deklaroi se kushtet e favorshme gjatë natës kanë krijuar mundësi më të mira për ndërhyrje.
“Situata ndryshoi për mirë gjatë natës dhe kushtet e motit na lejojnë ta përballojmë ditën me perspektiva më të mira se dje. Kjo është dita e parë që do të mund të ndërhyjmë në mënyrë më agresive ndaj zjarrit”, u shpreh ai.
Deri tani, për shkak të intensitetit të flakëve dhe rrezikut të lartë, ekipet e shpëtimit kishin vepruar kryesisht në mënyrë mbrojtëse për të kufizuar përhapjen e zjarreve.
Qindra zjarrfikës, efektivë ushtarakë dhe mjete ajrore vijojnë përpjekjet për shuarjen e vatrave aktive, ndërsa rreth 1,500 banorë janë evakuuar nga zonat e prekura.
Sant bëri të ditur se deri më tani nuk janë raportuar viktima të reja, duke e cilësuar këtë një zhvillim pozitiv. Ai shtoi se kontrollet e kryera nga autoritetet në zonat e prekura nuk kanë zbuluar persona të tjerë të pajetë, megjithëse hetimet vijojnë.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm spanjoll, Fernando Grande-Marlaska, kërkoi kujdes në lidhje me raportimet për persona të zhdukur. Sipas tij, shifra e 23 personave të zhdukur nuk përfaqëson raste të konfirmuara, por persona me të cilët familjarët nuk kanë mundur të kontaktojnë dhe që mund të jenë strehuar në qendra pritjeje.
Ministri bëri me dije se deri tani janë regjistruar shtatë kallëzime zyrtare për persona të zhdukur, ndërsa autoritetet presin përfundimin e autopsive dhe identifikimin e viktimave për të përcaktuar bilancin përfundimtar të tragjedisë.


