Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga stadiumi ku do të zhvillohet koncerti i Kanye West në Shqipëri, duke e cilësuar këtë ngjarje si një mundësi për promovimin ndërkombëtar të vendit.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama deklaroi se koncerti do ta vendosë Shqipërinë në një tjetër hartë globale, atë të destinacioneve që tërheqin komunitetin ndërkombëtar të adhuruesve të muzikës.
Duke iu referuar kritikave për kostot e organizimit, të cilat sipas tij janë përmendur rreth 4 milionë euro, kryeministri tha se kjo shumë duhet parë si investim që pritet të gjenerojë të ardhura përmes rritjes së numrit të vizitorëve, rezervimeve në hotele, konsumit në restorante, bare, dyqane dhe shërbime të tjera.
“Një koncert i kësaj përmase dhe i këtij artisti nuk është thjesht një ngjarje artistike. Është marketing global për Shqipërinë”, u shpreh Rama, duke shtuar se promovimi përmes eventeve të mëdha kulturore është një praktikë e përdorur edhe nga vendet e zhvilluara.
Sipas kryeministrit, kultura nuk duhet parë vetëm si një shpenzim, por edhe si një sektor që ndikon në ekonomi, turizëm dhe zhvillim. Ai solli si shembull ndikimin ekonomik të koncerteve të mëdha ndërkombëtare, duke përmendur edhe rastin e Stambollit pas koncertit të Kanye West.
Rama argumentoi se anulimi i një eventi të tillë do të kishte ndikim negativ në imazhin e Shqipërisë, ndërsa organizimi i tij është një mundësi për të sjellë më shumë vëmendje ndërkombëtare dhe vizitorë në vend.
Koncerti i Kanye West pritet të zhvillohet sonte në stadium, në një event që autoritetet e kanë konsideruar një nga aktivitetet më të mëdha muzikore të organizuara në Shqipëri.
POSTIMI I RAMËS:
GATI STADIUMI I KONCERTIT që do të fusë Shqipërinë në një tjetër hartë globale, atë të komunitetit botëror të amatorëve të muzikës, të cilët falë ngjarjes muzikore të mbrëmjes së sotme do të bëjnë atë që bëjnë kudo shkon Kanye West: Do të vijnë të vizitojnë Shqipërinë.
Disa vazhdojnë të flasin për 4 milionë euro shpenzim për një natë, por VETLM KUSH NUK DO S’E KUPTON që ato 4 milionë janë një INVESTIM, i cili do të rikthehet nga mijëra vizitorët që në 48 orët e fundit janë shtuar në hotelet, apartamentet, restorantet, baret, dyqanet, taksitë. Më shumë se sa 4 milionë do të jenë të ardhurat që do të rikthehen edhe në vetë arkën e shtetit, nga rritja e konsumit – është vërtetë gjynah që rrimë bëjmë këtë bisedë, në një ditë të shënuar kulturore si kjo për Shqipërinë.
Një koncert i kësaj përmase dhe i këtij artisti, nuk është thjesht një ngjarje artistike. Është MARKETING GLOBAL PËR SHQIPËRINË, një reklamë që do të kushtonte shumë më tepër po të blihej me fushata tradicionale. Dhe kjo nuk është një shpikje shqiptare. Është mënyra se si veprojnë vendet më të zhvilluara të Europës. Kush kujton se kultura është luks duhet ta rishikojë këtë opinion të gabuar.
“S’kemi bukë, s’na duhet kultura”? Gabim, kultura nuk është vetëm ushqim shpirtëror, po edhe ekonomi, turizëm, zhvillim. Bukë! Nga koncerti Kanye West pak javë më parë, Stambolli pati mbi 100 milionë Euro vlerë të shtuar.
Prandaj ta paraqesësh një investim të tillë si para të hedhura në erë është të mos kuptosh se si krijohet vlerë monetare nga ngjarjet kulturore e sportive, ndërkohë që e kundërta, anullimi i koncertit, do të ishte turpërim i Shqipërisë dhe dëm i madh në imazhin e mezingritur të vendit tonë. Shqipëria nuk fiton duke u fshehur nga bota. Shqipëria fiton duke e sjellë botën në shtëpinë e saj.


