Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka ngritur alarmin për një valë të re të nxehti që pritet të godasë Evropën, duke paralajmëruar se kontinenti mund të përballet me “javë më vdekjeprurëse”, ndërsa mbi Atlantik po formohet një tjetër masë intensive e ajrit të nxehtë.
Sipas parashikimeve meteorologjike, temperaturat në Portugali dhe në jug të Spanjës pritet të arrijnë deri në 43 gradë Celsius gjatë ditëve në vijim, duke rritur ndjeshëm rrezikun për shëndetin e popullsisë.
Përballë situatës, drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, zhvilloi një takim urgjent virtual me përfaqësues të 41 vendeve të rajonit, Komisionit Evropian dhe organizatave të shoqërisë civile, ku u diskutuan mësimet e nxjerra nga vala e fundit e të nxehtit dhe masat për përballimin e asaj që pritet të vijë.
Në deklaratën e tij, Kluge theksoi se shtetet që kishin hartuar plane veprimi për temperaturat ekstreme reaguan më shpejt dhe arritën të mbronin më mirë qytetarët gjatë valës së nxehtësisë që përfshiu Evropën në fund të qershorit.
Megjithatë, ai nënvizoi se më pak se gjysma e vendeve anëtare të OBSH-së në Evropë disponojnë aktualisht plane të tilla, duke i bërë ato më të ekspozuara ndaj pasojave të temperaturave ekstreme.
Sipas ekspertëve, vala e të nxehtit që goditi kontinentin nga 20 deri më 28 qershor ishte ndër më të rëndat e regjistruara ndonjëherë në Evropë. Ajo shkaktoi ndërprerje në prodhimin e energjisë, dëmtime në infrastrukturë dhe vuri nën presion sistemet shëndetësore në shumë vende.
Shkencëtarët vlerësojnë se nxehtësia ekstreme lidhet drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike, të cilat po bëjnë që episode të tilla të bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive.
Të dhënat paraprake tregojnë se Franca, Holanda dhe Belgjika kanë regjistruar rreth 3 700 vdekje shtesë gjatë valës së fundit të të nxehtit, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci mund të rritet me përditësimin e statistikave.
Gjatë episodit të fundit të temperaturave ekstreme, termometri arriti deri në 40 gradë Celsius në disa zona të Evropës, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se vala e re mund të sjellë pasoja edhe më të rënda nëse nuk merren masa parandaluese.


