Dy persona janë arrestuar nga njësia speciale ROS e Karabinierëve italianë, të dyshuar për spiunazh dhe akses të paligjshëm në sisteme informatike, në kuadër të një hetimi për veprimtari të dyshuara në favor të shërbimeve sekrete ruse.
I dyshuari kryesor është një 59-vjeçar, ish-pjesëtar i shërbimeve italiane të zbulimit dhe ish-nënoficer i Karabinierëve. Sipas hetuesve, ai dyshohet se ka kryer veprimtari spiunazhi kundrejt pagesës për llogari të një agjenti të dyshuar të shërbimit sekret rus, i cili gëzon imunitet diplomatik në Itali.
Autoritetet italiane bëjnë të ditur se i dyshuari siguronte informacione përmes gjashtë burimeve, mes tyre katër ushtarakë aktivë, të cilët janë gjithashtu nën hetim.
Përveç dy personave të arrestuar, hetimi përfshin edhe pesë persona të tjerë, përfshirë katër ushtarakë. Ata akuzohen, sipas roleve të tyre, për sigurim informacioni që lidhet me sigurinë e shtetit, spiunazh politik ose ushtarak, zbulim të sekreteve shtetërore dhe publikim të informacionit të klasifikuar.
Hetimi, i zhvilluar nga ROS, nisi në maj të vitit 2025 dhe çoi në hapjen e dy procedimeve penale, një pranë Prokurorisë së Romës dhe një tjetër pranë Prokurorisë Ushtarake.
Gjatë hetimeve u kryen përgjime, vëzhgime, ndjekje, kontrolle dhe ekspertiza informatike. Masat e sigurisë u ekzekutuan me mbështetjen e njësisë speciale GIS dhe Komandës Provinciale të Karabinierëve të Romës.
Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, deklaroi se nuk mund të ketë “asnjë tolerancë” ndaj atyre që rrezikojnë sigurinë kombëtare, veçanërisht kur bëhet fjalë për persona me përgjegjësi institucionale.
Ai theksoi se mbrojtja e informacionit të klasifikuar dhe e institucioneve mbetet një interes parësor i shtetit.
Në një reagim në rrjetin social X, Crosetto falënderoi Prokurorinë e Romës dhe njësinë ROS për operacionin, duke e cilësuar çështjen si dëshmi të “luftës hibride të përditshme” që, sipas tij, Rusia zhvillon për të dobësuar institucionet, aleancat dhe sigurinë e Italisë.
Ministri shtoi se autoritetet do të vazhdojnë të veprojnë ndaj kujtdo që tradhton interesat kombëtare për përfitime financiare ose personale.


