Një gjykatë në Turqi ka vendosur masën e paraburgimit ndaj komedianit të njohur Deniz Göktaş, i cili do të qëndrojë në arrest në pritje të gjykimit për akuzat që lidhen me fyerjen e Presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe vlerave fetare të vendit.
Sipas autoriteteve turke, Göktaş u arrestua më 2 korrik në aeroportin e Stambollit, menjëherë pasi u kthye nga një udhëtim jashtë vendit. Zyra e Kryeprokurorit të Stambollit bëri të ditur se ndaj tij është hapur një hetim pas marrjes së 185 ankesave që lidhen me përmbajtjen e shfaqjeve të tij.
Hetimi fokusohet kryesisht në një performancë stand-up të zhvilluar më 1 qershor në Stamboll, gjatë së cilës komediani bëri komente satirike mbi zhvillimet politike në Turqi, duke përmendur Presidentin Erdogan, Kuranin dhe kryebashkiakun e burgosur të Stambollit, Ekrem Imamoglu. Videoja 90-minutëshe e kësaj shfaqjeje u publikua në YouTube më 24 qershor dhe ka grumbulluar afro nëntë milionë shikime.
Sipas avokatit të tij, Metin Aslan, ndër akuzat që rëndojnë mbi Göktaş është edhe ajo për fyerje të presidentit. Ndërkohë, disa përfaqësues të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), në pushtet, si dhe këshilltarë të Presidentit Erdogan, e kanë kritikuar publikisht komedianin, duke e akuzuar se ka tallur kreun e shtetit dhe Kuranin.
Në dëshminë e dhënë para policisë, Göktaş i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se shakatë e tij nuk kishin për qëllim të fyenin fenë apo tekstin e shenjtë islam. Ai ka sqaruar gjithashtu se përdorimi i termit “diktator” për Presidentin Erdogan ishte një vlerësim politik dhe jo një fyerje personale.
Pas zërave se kishte lënë Turqinë për t’iu shmangur ndjekjes penale, komediani reagoi në rrjetet sociale duke sqaruar se udhëtimi i tij kishte qenë për pushime dhe se kishte planifikuar të kthehej në vend.
“Kam ndërmend të jetoj edhe për shumë vite në Turqi dhe, nëse prania ime kërkohet për ndonjë procedurë, do të kthehem me fluturimin e parë”, shkroi ai.
Deniz Göktaş, i lindur në Ankara, e nisi karrierën në stand-up comedy në vitin 2019 në një klub në Stamboll. Që atëherë ai ka zhvilluar shfaqje në vende të ndryshme të Evropës dhe në Shtetet e Bashkuara, duke fituar popullaritet të madh edhe në platformat online.


