NATO ka reaguar pas debatit të krijuar në Kosovë për mospërfshirjen e vendit në Samitin e Aleancës që do të zhvillohet më 7 dhe 8 korrik në Ankara, duke sqaruar se programi i këtij takimi është i fokusuar te 32 shtetet anëtare dhe një numër i kufizuar partnerësh.
Në një përgjigje zyrtare, NATO bëri të ditur se në qendër të samitit do të jenë rritja e investimeve në mbrojtje, fuqizimi i industrisë së mbrojtjes dhe mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën.
“Temat kryesore të Samitit të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s në Ankara janë investimet në mbrojtje, prodhimi industrial i mbrojtjes dhe mbështetja për Ukrainën”, thuhet në reagimin e Aleancës.
NATO rikujtoi gjithashtu deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm, Mark Rutte, i cili ka theksuar se prioritet mbetet zbatimi i angazhimeve të marra nga vendet anëtare.
“Detyra përpara është e qartë: të shndërrohen angazhimet e Aleatëve në rezultate konkrete. Rritja e investimeve, prodhimi industrial dhe mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën kontribuojnë në një NATO më të fortë dhe më shumë siguri për të gjithë”, është shprehur Rutte.
Sipas NATO-s, në samit do të marrin pjesë krerët e 32 shteteve anëtare, si edhe disa partnerë të Aleancës, përfshirë Ukrainën, Bashkimin Evropian, vendet e Indo-Paqësorit dhe Iniciativën e Bashkëpunimit të Stambollit.
Megjithëse Kosova nuk figuron në listën e pjesëmarrësve, Aleanca rithekson se Ballkani Perëndimor mbetet një rajon me rëndësi strategjike dhe se angazhimi për ruajtjen e stabilitetit në rajon është i pandryshuar.
“Ballkani Perëndimor mbetet lart në axhendën e NATO-s. Angazhimi ynë për stabilitetin e rajonit është i palëkundur dhe nuk do të lejojmë krijimin e një boshllëku sigurie”, theksohet në përgjigje.
Po ashtu, NATO nënvizon se misioni i KFOR-it vijon të luajë një rol kyç në garantimin e sigurisë në Kosovë, në bazë të mandatit të Kombeve të Bashkuara, ndërsa bashkëpunimi me Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë mbetet i ngushtë.
Reagimi i Aleancës vjen pas diskutimeve të shumta në Kosovë për mungesën e vendit në listën e të ftuarve të Samitit të NATO-s, i cili do të mbahet në Ankara më 7 dhe 8 korrik.


