Qeveria pritet të miratojë këtë pasdite rishikimin e parë të Buxhetit të Shtetit për vitin 2026 përmes një Akti Normativ, duke shtuar 20.1 miliardë lekë në të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore, ndërsa niveli i deficitit mbetet i pandryshuar.
Sipas projektaktit, rishikimi mbështetet në ecurinë pozitive të të ardhurave gjatë pesëmujorit të parë të vitit, të cilat kanë tejkaluar parashikimet. Kjo i ka krijuar qeverisë hapësirë për të financuar prioritete të reja pa rritur deficitin dhe duke ruajtur objektivat e konsolidimit fiskal.
Me ndryshimet e propozuara, të ardhurat e përgjithshme të buxhetit arrijnë në 843.1 miliardë lekë, ose 2.4% më shumë se plani fillestar. Edhe shpenzimet rriten me të njëjtën vlerë, ndërsa deficiti mbetet në 63.7 miliardë lekë.
Një nga ndryshimet kryesore është përshpejtimi i indeksimit të pensioneve. Rritja, e planifikuar fillimisht për 1 tetor, do të hyjë në fuqi më 1 korrik 2026. Për këtë qëllim, Institutit të Sigurimeve Shoqërore i akordohen 872 milionë lekë shtesë për të mbuluar efektin financiar të indeksimit prej 2.7%.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është përfituesja më e madhe e fondeve shtesë, me rreth 4.5 miliardë lekë. Këto do të përdoren për dyfishimin e pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara, mbulimin e kontributeve të kujdestarëve të tyre, furnizimin me barna onkologjike, rritjen e pagave për personelin e urgjencës, investime në pajisje spitalore dhe zhvillimin e infrastrukturës dixhitale të sistemit shëndetësor.
Një tjetër sektor që përfiton ndjeshëm është mbrojtja. Ministrisë së Mbrojtjes i shtohen 10.3 miliardë lekë për investime dhe shpenzime operative, si dhe parashikohet rekrutimi i 300 efektivëve të rinj në Forcat e Armatosura. Me këtë financim, shpenzimet për mbrojtjen arrijnë në 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke përmbushur objektivat e NATO-s.
Edhe arsimi do të përfitojë rreth 750 milionë lekë shtesë për programet e arsimit bazë, tekstet falas, mbështetjen për studentët dhe investimet në shkolla e universitete.
Ndërkohë, Ministrisë së Brendshme i shtohen 664 milionë lekë, të destinuara kryesisht për Policinë e Shtetit, sistemin “Live Scanner”, Gjendjen Civile dhe Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Rreth 1.6 miliardë lekë shtesë janë planifikuar për Ministrinë e Ekonomisë, ku përfshihen fondet për skemën “Start-Up Albania”, programin “Dyfisho Biznesin Tënd” dhe krijimin e një shoqërie shtetërore për administrimin e ndërmarrjeve në likuidim. Gjithashtu, Garancia Sovrane do të zgjerohet për të mbështetur jo vetëm fermerët, por edhe ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Një financim i konsiderueshëm prej 6.5 miliardë lekësh do t’i kalojë Fondit Shqiptar të Zhvillimit për projekte infrastrukturore, blerjen e makinerive dhe autobusëve për bashkitë, si dhe për investime me ritëm të shpejtë zbatimi.
Fonde shtesë janë parashikuar edhe për institucione të tjera, përfshirë SPAK-un, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe një sërë institucionesh të pavarura.
Ndryshime përfiton edhe pushteti vendor. Të ardhurat e bashkive rriten me 14 miliardë lekë, si rezultat i performancës së lartë në mbledhjen e taksave vendore gjatë pesë muajve të parë të vitit. Një pjesë e fondeve do të përdoret për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, si edhe për rritjen e transfertës së pakushtëzuar.
Projektakti përfshin gjithashtu riorganizime në administratën publike, duke reflektuar reformën e inspektoriateve dhe transferimin e punonjësve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit drejt Gjykatës Kushtetuese pas përfundimit të mandatit të institucionit.
Në tërësi, rishikimi i parë i Buxhetit 2026 synon të forcojë mbështetjen për politikat sociale, shëndetësinë, mbrojtjen, investimet publike dhe zhvillimin ekonomik, pa cenuar stabilitetin fiskal të vendit.


