Franca ka regjistruar rreth 1,000 vdekje më shumë se zakonisht që nga e mërkura, ndërsa vendi vijon të përballet me temperaturat e larta të shkaktuara nga vala e të nxehtit.
Sipas një deklarate të publikuar nga Agjencia Franceze e Shëndetit Publik, “që nga 24 qershori janë regjistruar rreth 1,000 vdekje më shumë (shifra ende paraprake), krahasuar me numrin e vdekjeve të regjistruara në muajt e mëparshëm.”
Zonat më të prekura janë ato që kanë qenë në nivelin e kuq të alarmit për të nxehtin, përfshirë rajonet Île-de-France, Nouvelle-Aquitaine, Brittany, Centre-Val de Loire, Normandy dhe Pays de la Loire. Sipas autoriteteve, 85% e viktimave janë persona mbi moshën 65 vjeç.
Gjatë kësaj jave, temperaturat në disa zona të Francës kanë kaluar 40°C, gjë që ka ushtruar presion të madh mbi spitalet dhe shërbimet e emergjencës për shkak të rritjes së ndjeshme të thirrjeve për ndihmë.
Më shumë se 30 departamente kanë qenë nën alarmin e kuq për pjesën më të madhe të javës, ndërsa të mërkurën Franca regjistroi ditën më të nxehtë në historinë e saj, me një temperaturë mesatare 24-orëshe prej 30°C.
Në Paris, autoritetet ndaluan konsumimin e alkoolit në hapësirat publike gjatë fundjavës, në përpjekje për të ulur ngarkesën mbi shërbimet e emergjencës. Gjithashtu, Parada e Krenarisë (Pride March), e planifikuar për ditën e shtunë, u shty për shkak të temperaturave ekstreme. Kulla Eiffel dhe Muzeu i Luvrit nga ana tjetër, kanë mbyllur dyert më herët se zakonisht për shkak të vapës.
Gjatë gjithë javës, shumë banorë janë drejtuar drejt parqeve dhe kanaleve të qytetit për t’u freskuar. Megjithatë, autoritetet kanë paralajmëruar për rrezikun e notit në vende të pambikëqyrura, pasi një burrë humbi jetën të premten mbrëma në Kanalin Saint-Martin.
“Kemi thënë edhe më parë dhe do ta përsërisim: Noti jashtë orareve dhe zonave të mbikëqyrura është i rrezikshëm,” shkroi në Twitter zëvendëskryetari i Bashkisë së Parisit, Emmanuel Grégoire.
Temperaturat e larta kanë përfshirë edhe pjesë të tjera të Europës. Mbretëria e Bashkuar regjistroi të premten ditën më të nxehtë të qershorit në histori, me 37.3°C në fshatin Santon Downham, në qarkun Suffolk. Ndërkohë, edhe Spanja dhe Gjermania kanë regjistruar temperatura që kanë kaluar 40°C.


