Një operacion i përbashkët i forcave operacionale të Tiranës dhe Komisariatit të Policisë Sarandë ka përfunduar me arrestimin e 34-vjeçarit nga Elbasani, Elvis Koçi alias Elvis Çaushllari, i njohur edhe me nofkën “Vis Korçari”.
Sipas burimeve, efektivët e policisë kishin kohë që e ndiqnin dhe e kanë lokalizuar gjatë ditës së djeshme në Ksamil. Rreth orës 22:30 të së shtunës është organizuar operacioni për kapjen e tij, ku janë përfshirë edhe agjentë civilë të sektorit të Krimeve në Sarandë.
Sapo ka konstatuar praninë e policisë, 34-vjeçari ka tentuar t’i shmanget arrestimit duke kryer manovra të rrezikshme me automjetin e tij. Gjatë largimit ai ka përplasur dy automjete civile të policisë dhe ka çarë rrethimin fillestar, por është ndjekur nga forcat e rendit.
Pas rreth 30 minutash kërkimesh, ai është lokalizuar pranë një biznesi në aksin Ksamil–Butrint dhe është vënë në pranga. Policia ka sekuestruar edhe automjetin me të cilin lëvizte, i regjistruar në emër të vëllait të tij.
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte më herët në hetim dhe ndjekje emrin e tij, ndërsa Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka dënuar me 4 vite burg për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
Atij i kanë mbetur për të vuajtur edhe 2 vjet, 9 muaj dhe 9 ditë burgim, ndërsa njihet si një nga emrat e përfshirë në përplasjet e grupeve kriminale në Elbasan dhe më herët është arrestuar edhe në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”.


