Policia e Shtetit ka njoftuar arrestimin e të shumëkërkuarit Moisi Habilaj, në një operacion të zhvilluar në zonën e Borshit në Vlorë, me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë.
Sipas njoftimit zyrtar, Habilaj u kap gjatë një operacioni të koduar “Metodat”, i zhvilluar mbi bazën e informacioneve të siguruara dhe metodave speciale të hetimit. Ai është arrestuar provizorisht për t’u ekstraduar në Itali, ku është dënuar me mbi 12 vite burg për pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.
Gjithashtu, ndaj tij është ekzekutuar edhe një masë “arrest në burg” e dhënë më herët nga gjykatat shqiptare për vepra penale të lidhura me trafikimin e narkotikëve dhe grupin e strukturuar kriminal.
Gjatë operacionit është arrestuar në flagrancë edhe një shtetas shqiptar, E.A., 46 vjeç, banues në Sarandë, ndërsa një shtetas italian 70-vjeçar, S.F., është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “përkrahje e autorit të krimit”.
Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


