Funksionarët e kabineteve ministrore do t’i nënshtrohen rregullave më të qarta dhe të unifikuara për emërimin, funksionimin dhe largimin nga detyra, sipas ndryshimeve të reja ligjore që forcojnë lidhjen e tyre me ministrin përkatës.
Sipas kuadrit aktual, kabineti i ministrit përbëhej nga drejtorë, këshilltarë dhe sekretarë, të cilët emëroheshin dhe shkarkoheshin drejtpërdrejt nga ministri, duke pasur statusin e funksionarëve politikë. Organizimi i tyre përcaktohej me vendime të Këshillit të Ministrave dhe me rregullore të brendshme të ministrive.
Me ndryshimet e reja, marrëdhënia e punës së funksionarëve të kabinetit përcaktohet si një marrëdhënie besimi me ministrin. Kjo nënkupton se ata nuk trajtohen si punonjës të zakonshëm të administratës publike, por si persona të zgjedhur për të mbështetur ministrin në aspekt politik, teknik dhe administrativ.
Edhe pse punëdhënësi formal mbetet shteti, marrëdhënia e punës lidhet drejtpërdrejt me besimin e ministrit që i ka përzgjedhur. Procesi i emërimit kryhet nga ministri, por akti zyrtar firmoset edhe nga drejtuesi i burimeve njerëzore të institucionit, duke formalizuar procedurën administrative.
Ndryshime preken edhe procedurat e largimit nga detyra. Ministri mund të lirojë funksionarin e kabinetit, por vetëm me një afat njoftimi minimal prej 30 ditësh, pavarësisht kohëzgjatjes së shërbimit.
Një risi e rëndësishme është largimi automatik i funksionarëve të kabinetit në momentin që ndryshon ose largohet ministri. Në këtë rast, marrëdhënia e tyre ndërpritet, përveçse kur ministri i ri vendos t’i rikonfirmojë në detyrë, duke e lidhur kështu funksionin drejtpërdrejt me mandatin e titullarit politik.
Ligji parashikon gjithashtu raste të tjera për përfundimin e detyrës, përfshirë dorëheqjen, dënimin penal me vendim të formës së prerë, humbjen e aftësisë juridike, paaftësinë për punë të vërtetuar mjekësisht, daljen në pension të reduktuar, si dhe konfliktin e vazhdueshëm të interesit të paadresuar.
Një rol të rëndësishëm në procedurë i jepet njësive të burimeve njerëzore, të cilat konfirmojnë dhe dokumentojnë menjëherë lirimin ose shkarkimin pasi verifikohet shkaku ligjor.
Këto rregulla do të zbatohen edhe për kabinetin e Kryeministrit dhe ministrave të shtetit, për aq sa nuk bien ndesh me ligjin për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave.


