Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka komentuar tensionet e fundit mes Turqisë dhe Izraelit, duke shprehur bindjen se nuk do të ketë përplasje ushtarake mes dy vendeve.
Në një prononcim për mediat, Trump u pyet mbi rrezikun e një konflikti të mundshëm mes Ankarasë dhe Tel Avivit, pas shkëmbimeve të ashpra të deklaratave mes liderëve të dy shteteve.
Ai vlerësoi presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, duke e cilësuar si një lider të fortë dhe duke theksuar marrëdhëniet e tij personale me të.
“Më pëlqen shumë Recep Tayyip Erdogan. Ai është një njeri i fortë… Nuk mendoj se kjo do të ndodhë me Turqinë, jo sa kohë që unë jam president, sepse ai më respekton dhe unë e respektoj atë”, deklaroi Trump.
Deklaratat vijnë në një moment tensionesh të shtuara në rajon, pas qëndrimeve të ashpra të presidentit turk, i cili ka paralajmëruar se zhvillimet në Lindjen e Mesme, përfshirë sulmet në Siri dhe Liban, po përbëjnë tashmë një rrezik të drejtpërdrejtë edhe për sigurinë e Turqisë.
Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i është përgjigjur deklaratave nga Ankaraja me tone të forta, duke e cilësuar Erdoganin si diktator dhe duke e akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriut dhe mbështetje të grupeve të ndryshme të armatosura.
Përplasja verbale mes dy liderëve ka rritur tensionet diplomatike, ndërsa deklarata e Trump synon të zbusë shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm në konflikt të drejtpërdrejtë mes dy vendeve.
Reporter: Do you think there is a chance for conflict between Israel and Türkiye?
— Clash Report (@clashreport) June 10, 2026
Trump: I like Erdogan a lot. He is a strong person… I don't think that will happen with Türkiye, not as long as I am president, because Erdogan respects me and I respect him. pic.twitter.com/EV3bWLF9ZF


