Një hetim i autoriteteve kanadeze ka hedhur dritë mbi një rast të pazakontë në aviacionin civil, ku një ish-komandant i kompanisë “Air Canada” dyshohet se ka ushtruar detyrën për rreth 16 vite pa pasur certifikimin e kërkuar për këtë rol.
Sipas mediave ndërkombëtare, përfshirë “La Repubblica”, piloti Geoffrey Wall dyshohet se ka kryer detyrën e komandantit të avionëve nga viti 2009 deri në vitin 2025, duke paraqitur dokumente të cilësuara si të dyshuara për falsifikim.
Autoritetet në Kanada po hetojnë se si një parregullsi e tillë ka mundur të mbetet e pazbuluar për kaq shumë vite, pavarësisht kontrolleve të shumta në industrinë e aviacionit.
Gjatë kësaj periudhe, Wall dyshohet se ka realizuar mbi 900 fluturime dhe ka pilotuar avionë të tipit Boeing 767, Boeing 777 dhe Boeing 787 Dreamliner, duke përfituar rreth 3 milionë dollarë kanadezë në paga.
Hetimi, i koduar “Project Icarus”, po fokusohet si te përgjegjësitë individuale të ish-pilotit, ashtu edhe te dështimet e mundshme të sistemit të verifikimit dhe mbikëqyrjes së certifikimeve profesionale në aviacion.
Sipas policisë rajonale të Peel-it në Ontario, ndaj tij janë ngritur disa akuza penale, ndërsa ai është arrestuar më 1 qershor.
Rasti ka shkaktuar reagime të forta në sektorin e aviacionit, duke ngritur pikëpyetje mbi sigurinë e kontrolleve dhe procesin e verifikimit të pilotëve në linjat ajrore ndërkombëtare.


