Drimadha është përzgjedhur si destinacioni ku do të realizohen xhirimet e sezonit më të ri të reality show-t britanik “The Only Way Is Essex” (TOWIE), një prej programeve më të njohura televizive në Mbretërinë e Bashkuar.
Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi këtë zhvillim si një tjetër tregues të vëmendjes në rritje që Shqipëria po tërheq në fushën e turizmit dhe medias ndërkombëtare.
Sipas Ramës, zgjedhja e Drimadhës nga produksioni i njohur britanik përbën një promovim të rëndësishëm për vendin, duke e vendosur Shqipërinë në fokusin e një audience të gjerë ndërkombëtare.
Regjisorja e programit, Rebecca Kenny-Smith, tha se Shqipëria është aktualisht një nga destinacionet më të përfolura në Britaninë e Madhe dhe se ekipi i produksionit ishte në kërkim të një vendi të ri për sezonin e 38-të të emisionit.
Ajo vlerësoi veçanërisht Drimadhën për peizazhin natyror, pozicionin mes detit dhe maleve, si dhe bukurinë e saj unike.
“Gjithmonë kërkojmë vende të reja ku nuk kemi xhiruar më parë. Shqipëria është në qendër të vëmendjes në Mbretërinë e Bashkuar dhe Drimadha ofron një kombinim të jashtëzakonshëm të natyrës, detit dhe kulturës lokale”, u shpreh Kenny-Smith.
Sipas saj, ujërat e kristalta, perëndimet spektakolare të diellit, relievi malor dhe arkitektura tradicionale e bëjnë Shqipërinë një destinacion të veçantë, që dallon nga destinacionet e tjera turistike në rajon.
Përzgjedhja e Drimadhës për xhirimet e një prej reality show-ve më të ndjekur britanikë konsiderohet një mundësi e rëndësishme për promovimin e rivierës shqiptare dhe për rritjen e mëtejshme të interesit të turistëve të huaj ndaj vendit.


