Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, njoftoi se Komisioni Europian ka propozuar mbylljen e tre kapitujve negociues me Shqipërinë, duke e cilësuar këtë si një tjetër hap të rëndësishëm në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Gjatë konferencës për shtyp pas Samitit BE–Ballkani Perëndimor të mbajtur në Tivat, Costa vlerësoi zhvillimet e fundit në procesin e zgjerimit, duke theksuar se vendet e rajonit po përfitojnë nga një momentum i ri në rrugën drejt anëtarësimit.
“Javën e kaluar, mbajtëm një Konferencë Ndërqeveritare me Shqipërinë, e cila hapi fazën e ardhshme të procesit të anëtarësimit. Për më tepër, Komisioni ka propozuar mbylljen e tre kapitujve negociues me Shqipërinë”, deklaroi Costa.
Sipas tij, zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet një prioritet strategjik, duke e konsideruar atë si një investim për paqen, sigurinë dhe prosperitetin e kontinentit.
Costa theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një vend të natyrshëm në familjen evropiane dhe i inkurajoi ato të përshpejtojnë reformat për të përfituar nga momenti aktual politik.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e pandashme e së ardhmes së Bashkimit Evropian”, u shpreh ai, duke nënvizuar se progresi në procesin e integrimit kërkon angazhim të vazhdueshëm në zbatimin e reformave.
Presidenti i Këshillit Evropian veçoi gjithashtu rëndësinë e harmonizimit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, si dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
Në mbyllje të fjalës së tij, Costa rikonfirmoi mbështetjen e Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se BE-ja do të vazhdojë të mbetet partneri më i afërt dhe më i besueshëm i rajonit në rrugën drejt integrimit evropian.


