Dasma e shumëpërfolur e këngëtares me famë botërore Dua Lipa dhe aktorit Callum Turner po e vendos Palermon në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, por jo të gjithë banorët e qytetit italian e kanë pritur me entuziazëm organizimin e asaj që mediat po e cilësojnë si “dasma e vitit”.
Pas ceremonisë së zhvilluar në Londër, çifti mbërriti në Palermo me avion privat, ndërsa festimet po zhvillohen në disa prej ambienteve më prestigjioze të qytetit. Në mesin e të ftuarve përfliten emra të njohur të muzikës, modës dhe artit.
Megjithatë, masat e rrepta të sigurisë dhe kufizimet në lëvizje kanë shkaktuar pakënaqësi te një pjesë e banorëve. Disa qytetarë janë ankuar për vështirësitë në qarkullim dhe parkim, duke argumentuar se përditshmëria e tyre është ndikuar nga organizimi i eventit.
“Për tre ditë jemi detyruar të parkojmë kilometra larg. Do ta kuptoja po të ishte për Papën, por jo për një këngëtare”, u shpreh një punonjëse lokali në qendër të qytetit, duke reflektuar pakënaqësinë e një pjese të banorëve.
Të tjerë e shohin këtë ngjarje si një shembull të transformimit të Palermos në një destinacion gjithnjë e më të orientuar drejt turizmit luksoz, duke ngritur shqetësime se qyteti po humbet gradualisht identitetin e tij të përditshëm.
Nga ana tjetër, bizneset lokale dhe shumë qytetarë e konsiderojnë dasmën një mundësi të rëndësishme për ekonominë e zonës. Sipas tyre, prania e personazheve të njohur dhe ekspozimi mediatik ndërkombëtar mund të sjellin më shumë turistë dhe të ardhura për qytetin.
Kulmi i festimeve pritet të mbahet në Villa Valguarnera, një rezidencë historike e shekullit XVIII pranë Palermos, e njohur edhe si një nga lokacionet ku është xhiruar seriali “The Leopard”.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Palermos, Roberto Lagalla, minimizoi kritikat ndaj organizimit të eventit, duke i cilësuar ato si “një sakrificë të vogël” përballë përfitimeve ekonomike dhe promovimit ndërkombëtar që një ngjarje e tillë sjell për qytetin.


