Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me banorët e Zvërnecit, ku u përball me shqetësimet e disa qytetarëve lidhur me çështjen e pronësisë së tokave në zonë dhe projektet e përfolura për zhvillim turistik.
Një prej qytetarëve i tha kryeministrit se ishte ndier i prekur nga deklaratat e tij të mëparshme, duke theksuar se procesi gjyqësor për pronën e familjes së tij vijon prej dekadash.
“Çështja jonë është ende duke u gjykuar. Ju keni thënë që ajo pronë është e trashëguar dem baba dem. Mua më vrau. Unë tani çfarë të pres nga gjykatësi? Kam të drejtë apo jo në atë pronë, e vendos gjykata. Kam 35 vjet që sorollatem. Luftoi babai im deri sa vdiq dhe këtë plagë ma la mua”, u shpreh qytetari.
Në përgjigje, Rama mohoi të ketë deklaruar se prona ishte trashëguar brez pas brezi, duke sqaruar se ai i është referuar faktit që prona është kthyer shumë vite më parë.
“Nuk është e vërtetë. Unë kam thënë që prona është kthyer dem baba dem. Është kthyer shumë vite më parë. Nuk është kthyer nga kjo qeveri. A ka kthime të gabuara dhe të padrejta? Me siguri ka plot. Por këtë nuk e vendos as qeveria dhe as institucionet e tjera. Këtë e vendos vetëm gjykata”, tha kryeministri.
Rama shtoi se nuk mban anë në konfliktet e pronësisë dhe se nuk ka pasur asnjë kontakt me personat që përmenden si pronarë të tokave në zonë.
“Ndjesë nëse je ndjerë i lënduar, por s’më ke kuptuar si duhet. Unë nuk përfaqësoj pronarët. Për dijeninë tuaj, unë nuk e kam takuar kurrë asnjë nga pronarët që përfliten. Nuk e kam idenë çfarë marrëveshjesh kanë ata me investitorët”, deklaroi ai.
Duke folur për debatet rreth Zvërnecit dhe Sazanit, kreu i qeverisë theksoi se bëhet fjalë për dy çështje të ndryshme, ku sipas tij pjesa përballë ishullit të Sazanit është pronë private.
“Kur është folur për Sazanin dhe Zvërnecin, unë kam thënë se Sazani është çështje e qeverisë shqiptare sa i përket marrëveshjes, ndërsa pjesa përballë Sazanit është një çështje private, e pronarëve privatë. Pronarët privatë merren vesh privatisht. Shqipëria nëse shitet apo jo privatisht, këtë e vendosin pronarët, jo qeveria dhe as protestuesit”, u shpreh Rama.


