Regjisori i njohur amerikan Quentin Tarantino ka kritikuar ashpër industrinë e filmit në Hollywood pas pandemisë, duke e përshkruar atë si një “fabrikë sallami pa shije” dhe duke deklaruar se sot i jep më shumë përparësi leximit të librave sesa shikimit të filmave.
Në një artikull të publikuar për revistën e kinemasë Sight and Sound, autori i filmave kult si “Pulp Fiction” dhe “Kill Bill” shprehet se po e ka gjithnjë e më të vështirë të gjejë filma të rinj që ta impresionojnë.
“Më duket pothuajse e pamundur që të dalë një film i ri pa e analizuar menjëherë deri në imtësi dhe pa i vënë re dobësitë e tij”, shkruan Tarantino.
Megjithatë, ai ka veçuar edhe disa përjashtime, duke vlerësuar filmin “The Rip” të regjisorit Joe Carnahan, si dhe duke lavdëruar versionin e ri të “West Side Story” të Steven Spielberg, si edhe dy kapitujt e parë të “Horizon: An American Saga” nga Kevin Costner.
Sipas Tarantinos, shumë pak filma të viteve të fundit arrijnë ta rikthejnë atë ndjesinë e “magjisë” që dikur e bënte të dashuronte kinemanë.
“Ditët e sotme do të preferoja të lexoja një libër”, u shpreh ai.
Ai shton se, ndonëse vitet 1980 nuk i konsideron si periudhë të artë të kinemasë, në atë kohë e falte më lehtë cilësinë e dobët të filmave për shkak të përvojës së veçantë të kinemasë. Sot, sipas tij, vetë koncepti i filmit shpesh i ngjall më shumë zhgënjim sesa entuziazëm.


