Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, kundërshtoi në Kuvend kritikat e deputetit të Partisë Demokratike, Enno Bozdo, lidhur me situatën ekonomike në vend, duke theksuar se treguesit zyrtarë dëshmojnë progres të qëndrueshëm krahasuar me vitet e mëparshme.
Gjatë debatit parlamentar, Bozdo ngriti shqetësime për nivelin e të ardhurave për frymë, reformat strukturore, sistemin e pensioneve dhe mbulimin e ndihmës ekonomike, duke argumentuar se Shqipëria vijon të mbetet larg standardeve evropiane.
Në përgjigje, Ibrahimaj pranoi se vendi ka ende sfida për të përballuar në procesin e afrimit me standardet e Bashkimit Evropian, por theksoi se analiza e ekonomisë duhet të bazohet jo vetëm te niveli aktual i treguesve, por edhe te progresi i arritur ndër vite.
Sipas saj, Shqipëria ka shënuar avancim në procesin e konvergjencës me ekonomitë evropiane dhe po përfiton nga instrumentet mbështetëse të Bashkimit Evropian për vendet kandidate.
“Kjo është arsyeja pse BE vendos në buxhetin e saj një fond të posaçëm, të njohur si Growth Plan, i cili lidhet me mbështetjen financiare që marrin vendet kandidate në bazë të reformave që ato zbatojnë”, u shpreh ministrja.
Duke u ndalur te çështja e pensioneve, Ibrahimaj kundërshtoi pretendimet se indeksimi nuk zbatohet, duke sqaruar se procesi kryhet çdo vit mbi bazën e inflacionit të llogaritur nga INSTAT për pensionistët dhe zbatohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
“Çdo vit INSTAT kalkulon indeksin e inflacionit për pensionistët, bazuar në një shportë të veçantë konsumi. Ky indeks përdoret nga ISSH për indeksimin e pensioneve çdo vit”, deklaroi ajo.
Ministrja theksoi se qeveria është e vetëdijshme për nevojën e rritjes së mëtejshme të pensioneve dhe pagave, por argumentoi se kjo duhet të mbështetet te rritja e produktivitetit ekonomik dhe jo te zgjerimi i borxhit publik.
Duke iu referuar shembullit të Malit të Zi, Ibrahimaj tha se rritja e shpejtë e pagave dhe pensioneve në atë vend është shoqëruar edhe me një rritje të konsiderueshme të borxhit.
“Sigurisht që do të donim paga dhe pensione më të larta, por ato duhet të rriten në përputhje me produktivitetin. Shembulli i Malit të Zi nuk është domosdoshmërisht pozitiv, pasi krahas rritjes agresive të pagave dhe pensioneve është rritur në mënyrë agresive edhe borxhi publik”, tha ajo.
Ministrja shtoi se të dhënat zyrtare dhe raportet e institucioneve ndërkombëtare tregojnë ulje të varfërisë, rritje të numrit të kontribuuesve në skemën e pensioneve dhe përmirësim të përgjithshëm të treguesve ekonomikë krahasuar me vitin 2013.
Në përfundim, Ibrahimaj deklaroi se Shqipëria vijon të renditet ndër ekonomitë me performancën më të mirë në rajon sipas vlerësimeve të institucioneve financiare ndërkombëtare.
“Ne e pranojmë se ka ende shumë për të bërë për pagat, pensionet dhe Prodhimin e Brendshëm Bruto, por pa asnjë dyshim situata është më e mirë se më parë. A është Shqipëria ekonomia që po rritet më shpejt në Ballkanin Perëndimor? Nuk e them unë, e thotë FMN dhe e thotë Banka Botërore”, deklaroi ministrja.


