Franca po përballet me një valë të pazakontë të të nxehtit për muajin maj, të cilën shërbimi meteorologjik kombëtar Meteo-France e ka cilësuar si “të paprecedentë, historike dhe të jashtëzakonshme”.
Sipas meteorologëve, temperaturat në shumë zona kanë qenë rreth 15°C mbi mesataren e zakonshme për fundin e majit, duke prekur veçanërisht bregdetin perëndimor të vendit.
Dje u regjistrua edhe një rekord i ri për temperaturën më të lartë të regjistruar ndonjëherë në muajin maj, me 37.8°C në Angoulême-La Couronne, në perëndim të Francës.
Autoritetet kanë shpallur nivelin e dytë më të lartë të alarmit në 11 rajone, përfshirë edhe Paris, ku temperaturat kanë kaluar 32°C për disa ditë rresht.
Sipas të dhënave zyrtare, më shumë se gjysma e vendit ka thyer rekorde mujore të temperaturës gjatë ditëve të fundit, duke e bërë këtë valë të nxehti një nga më të fortat e regjistruara për këtë periudhë të vitit.
Autoritetet meteorologjike paralajmërojnë se nga fundjava pritet një ulje graduale e temperaturave, por theksojnë se episode të tilla ekstreme po bëhen gjithnjë e më të shpeshta për shkak të ndryshimeve klimatike.
Ekspertët shtojnë se valët e nxehtësisë në të ardhmen mund të fillojnë më herët, të zgjasin më shumë dhe të jenë më intensive, duke rritur rrezikun për shëndetin publik.


