Policia e Malësisë së Madhe ka goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike, në kuadër të operacionit të koduar “Flagranca”, i zhvilluar pas hetimeve intensive dhe punës proaktive në terren.
Gjatë operacionit, në territorin e fshatit Ivanaj, shërbimet e Policisë zbuluan një parcelë ku ishin kultivuar 306 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Bimët u asgjësuan në vendngjarje nëpërmjet djegies.
Në momentin e ndërhyrjes, efektivët kapën në flagrancë dy persona që ndodheshin në parcelë, të dyshuar si autorë të kultivimit të lëndës narkotike. Në pranga ranë shtetasit N.Z., 40 vjeç, banues në fshatin Guci e Re, dhe K.P., 43 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re.
Sipas Policisë, operacioni është rezultat i hetimeve të kryera për identifikimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike në territorin e qarkut Shkodër.
Autoritetet bëjnë me dije se kontrollet dhe monitorimet do të vijojnë në të gjithë zonën, me synim parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale që lidhen me kultivimin e lëndëve narkotike.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme hetimore.


