IKMT ka gjobitur me 4 milionë lekë kompaninë Albchrome dhe ka urdhëruar pezullimin e përkohshëm të aktivitetit të saj në Elbasan, pas konstatimit të magazinimit të mbetjeve të rrezikshme.
Sipas njoftimit të autoriteteve, gjatë një inspektimi në subjekt është zbuluar një sasi prej 318 tonësh mbetjesh të rrezikshme, të cilat dyshohet se kanë dalë nga sistemi i pluhur-kapësit të procesit industrial.
Autoritetet theksojnë se për këtë sasi mbetjesh kompania nuk dispononte kontratë për transferimin, trajtimin apo asgjësimin e tyre, pavarësisht se ato klasifikohen si mbetje të rrezikshme sipas legjislacionit në fuqi.
Për këtë arsye, IKMT ka vendosur pezullimin e aktivitetit të kompanisë deri në asgjësimin e plotë të mbetjeve dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore për administrimin e tyre.
Rasti ka ngritur shqetësime mbi mënyrën e menaxhimit të mbetjeve industriale në sektorët që prodhojnë materiale me ndikim të lartë në mjedis dhe shëndetin publik, duke rikthyer vëmendjen te kontrolli i proceseve të trajtimit të tyre.


