TIRANË– Policia e Tiranës ka vënë në pranga Fatjon Dautin, i cili u bë pjesë e sherrit që ndodhi mesditën e djeshme tek rrethrrotullimi i TEG-ut.
Shkak i sherrit të Fatjon Dautit dhe Marjo Barami u bënë dy vajza, të cilat përplasën mjetet e tyre dhe më pas thirrën të afërmit.
Bëhet me dije se arrestimi i tij është kryer mbrëmjen e së enjtes, për akuzën e armëmbajtjes pa leje, prodhim dhe shitje të lëndës narkotike. Dyshohet se arma që u gjet dje i përket atij, po këshut gjatë kontrollit fizik iu gjetën dhe një sasi kanabisi.
NJOFTIMI I PLOTË I POLICISË:
Në vijim të njoftimit paraprak të dhënë ditën e djeshme, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin F. D., 29 vjeç, banues në Krumë, për veprat penale “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të parashikuara nga nenet 278 dhe 283 të Kodit Penal.
Gjithashtu po punojnë për kapjen e shtetasve A. N., 29 vjeç, banues në Tiranë, M. B., 25 vjeç, banues në Tiranë, dhe I. L., 24 vjeç, banues në Domje. Ditën e djeshme, në afërsi të rrethrrotullimit të Teg-ut, shtetasi F. D., me shtetasin A. N., janë konfliktuar me sende të forta me shtetasit M. B., dhe I. L.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është gjetur një armë zjarri pistoletë, e cila nga këqyrja e pamjeve filmike i përket shtetasve F. D. dhe A. N. Gjithashtu gjatë kontrollit fizik shtetastit F. D., shërbimet e Policisë, i gjetën sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale së bashku me armën e zjarrit. Materialet i kaluan Prokurorisë.


