Një incident i rëndë ka tronditur futbollin në Spanjë, ku portieri i Real Zaragoza, Esteban Andrada, ka ushtruar dhunë ndaj kapitenit të SD Huesca, Jorge Pulido.
Ngjarja ndodhi gjatë ndeshjes së së dielës, kur Andrada, pasi kishte marrë një karton të verdhë, shkoi të protestonte ndaj gjyqtarit Dámaso Arcediano. Situata doli jashtë kontrollit kur ai fillimisht e shtyu Pulidon dhe më pas, pas kartonit të dytë të verdhë dhe përjashtimit nga loja, e goditi me grusht në fytyrë.
Sipas raportit zyrtar, goditja ishte e fortë dhe i shkaktoi Pulidos një hematomë në mollëzën e majtë, duke e rrëzuar në tokë—një element që mund të ndikojë rëndë në vendimin disiplinor.
Referuar rregullave të Federata Spanjolle e Futbollit, një akt i tillë dhune dënohet me 4 deri në 12 ndeshje pezullim. Nëse provohet se dëmtimi ka ndikuar në vazhdimin e lojës së kundërshtarit, dënimi mund të rritet deri në 15 ose 16 ndeshje në total.
Pas ndeshjes, Andrada kërkoi falje publike, duke pranuar se humbi kontrollin në një moment tensioni dhe duke i kërkuar ndjesë Pulidos, klubit dhe tifozëve.
Megjithatë, vendimi përfundimtar pritet në ditët në vijim, ndërsa rasti konsiderohet si një nga incidentet më të rënda disiplinore në futbollin spanjoll kohët e fundit.


