Si mund të vritet një grua, nënë e katër fëmijëve në lulen e jetës? Shoqëria duhet të reagojë, o sot, o kurrë: Nuk vriten gratë për asnjë arsye, janë burimi i jetës.
Kjo ngjarje e ndodhur në Lezhë nuk është thjesht një ngjarje kriminale. Është një kambanë alarmi që bie fort për të gjithë ne: për institucionet, për komunitetin, për çdo qytetar.
Një akt i tillë makabër nuk është vetëm shkelje e rëndë e ligjit, por edhe një thyerje e çdo norme njerëzore e morale që kemi trashëguar ndër breza. Edhe vetë kodi zakonor shqiptar, i njohur si Kanuni i Lekë Dukagjinit, e dënon ashpër dhunën dhe vrasjen e grave. Pra, përtej çdo interpretimi, ky është një akt që bie ndesh si me ligjin modern, ashtu edhe me traditën tonë më të hershme.

Por sot nuk mjafton të shprehim tronditje. Sot kërkohet reagim. Shoqëria duhet të zgjohet. Heshtja, indiferenca, justifikimet e fshehura pas “çështjeve familjare” apo mentaliteteve të vjetra janë bashkëfajtore në çdo krim që mund të ishte parandaluar.
Drejtësia duhet të veprojë me forcën e plotë të ligjit. Autorët e kësaj ngjarjeje duhet të marrin dënimin maksimal, si një mesazh i qartë se jeta e një gruaje, e një nëne, është e paprekshme dhe e shenjtë. Nuk mund të ketë asnjë tolerancë, asnjë zbutje, asnjë relativizim.
Një nënë e katër fëmijëve nuk është më mes nesh. Katër jetë janë dënuar të rriten pa nënë dhe baba. Kjo plagë nuk i përket vetëm një familjeje, është plagë e gjithë shoqërisë.
Nëse nuk reagojmë sot, nesër mund të jetë shumë vonë.


