Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim kryeinspektorin dhe dy inspektorë të Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë Divjakë, të akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Sipas organit të akuzës, nga hetimet ka rezultuar se në 31 raste të ndërtimeve pa leje, të hetuara nga prokuroria dhe të dënuara më pas nga gjykata, zyrtarët nuk kanë ushtruar detyrën ligjore për kontrollin e territorit.
Prokuroria thekson se edhe kur janë konstatuar shkelje administrative, nuk janë ndjekur procedurat ligjore si:
- vendosja e gjobave
- prishja e objekteve pa leje
- kallëzimi penal
- mbledhja e detyrimeve financiare
Si pasojë, është shkaktuar një dëm ekonomik prej 11,170,000 lekësh në buxhetin e shtetit dhe të njësisë vendore për periudhën 2021–2022.
Të pandehurit e dërguar në gjyq:
- R. L. – Kryeinspektor i IMT Divjakë
- S. M. – Inspektor pranë IMT Divjakë
- I. K. – Inspektor dhe ish-kryeinspektor i IMT Divjakë
Të tre akuzohen për “Shpërdorim detyre”, sipas nenit 248 të Kodit Penal.
Prokuroria Fier deklaron se do të vijojë angazhimin për të vënë para përgjegjësisë ligjore çdo punonjës publik që shkel detyrën.


