Irani ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit është plotësisht e hapur për kalimin e anijeve tregtare gjatë periudhës së armëpushimit në Lindjen e Mesme.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi, i cili njoftoi në rrjetin X se kalimi i anijeve tregtare do të mbetet i hapur për sa kohë zgjat armëpushimi.
Ai nuk specifikoi nëse deklarata lidhet me armëpushimin mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban apo me marrëveshje të tjera të përkohshme në rajon.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më strategjike në botë për transportin e naftës dhe gazit, ndaj çdo zhvillim në këtë zonë ka ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet globale të energjisë.


