Rrjetet sociale po shndërrohen në një nga faktorët kryesorë që po ndikojnë zgjedhjen e turistëve të huaj për të vizituar Shqipërinë, duke e kthyer vendin në një nga destinacionet më të përfolura të verës në platformat online. Shqipëria nuk po promovohet më vetëm si një destinacion turistik tradicional, por si një përvojë që shumë të huaj thonë se e kanë “zbuluar online dhe më pas e kanë jetuar realisht”.
Video të shkurtra nga Alpet shqiptare, bregdeti i Adriatikut dhe Riviera në jug të vendit kanë rritur ndjeshëm kuriozitetin e vizitorëve, të cilët shpesh vendosin të udhëtojnë pasi shohin përmbajtje në TikTok dhe Instagram. Turistë të ndryshëm që ndodhen aktualisht në Shqipëri shprehen se vendimi i tyre është ndikuar drejtpërdrejt nga rrjetet sociale dhe përmbajtjet virale.
“Jam duke zbuluar shumë vende në Evropë. Kam parë video ku kishte shumë male, ushqim dhe thashë… le të shkojmë atje,” u shpreh një turist.
Një vizitor nga Jemeni tha se kishte dëgjuar shpesh për Shqipërinë dhe sidomos për Durrësin, duke shtuar se “vendi është shumë i njohur në TikTok” dhe se moti e kishte surprizuar pozitivisht. Ndërkohë, turistë nga Polonia vlerësuan kombinimin e plazheve, maleve dhe qyteteve si Tiranë, duke e cilësuar vendin si shumë tërheqës online dhe në realitet.
Edhe vizitorë nga vende të largëta si Peruja dhe Argjentina thanë se e kanë zbuluar Shqipërinë përmes Instagramit, duke theksuar se videot për plazhet dhe peizazhet kanë qenë vendimtare në zgjedhjen e tyre për pushime. “Edhe ne po postojmë çdo ditë në rrjetet sociale për ta bërë më të njohur vendin,” u shpreh një prej tyre, ndërsa të tjerë thanë se Shqipëria u duk “identike me atë që kishin parë online”.
Interesimi për Shqipërinë nuk kufizohet vetëm te rrjetet sociale tradicionale, pasi disa turistë thanë se kanë marrë rekomandime edhe nga platforma të inteligjencës artificiale. “E pyeta ChatGPT për destinacione të lira dhe më sugjeroi Shqipërinë,” u shpreh një vizitor nga Malajzia, duke e cilësuar vendin si një surprizë pozitive.
Në këtë mënyrë, Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet ndërkombëtar jo vetëm përmes promovimit tradicional turistik, por edhe përmes ndikimit të influencerëve, përmbajtjeve virale dhe rekomandimeve digjitale që po e kthejnë vendin në një nga destinacionet më të kërkuara të sezonit veror.


