Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Redjan Rrajën, i shpallur fajtor për vrasjen e Andi Malokut, për tentativën e vrasjes së prokurorit Arjan Ndoja dhe për tentativën e vrasjes së Aleksandër Lahos alias Pëllumbu Muharremit.
Po ashtu, Gjykata konfirmoi edhe dënimin me 35 vite burgim për Arjol Halilajn, i akuzuar për të njëjtën ngjarje.
Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, rekursi i të dy të akuzuarve u konsiderua i pabazuar, duke lënë në fuqi vendimin e datës 4 qershor 2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Vendimi u shpall nga kolegji penal i përbërë nga Sokol Binaj, Ilir Panda dhe Sandër Simoni.
Të dy të akuzuarit kishin paraqitur ankim në Gjykatën e Lartë pas shpalljes së fajësisë në shkallën e dytë, por kërkesat e tyre u rrëzuan.


