Drejtuesja ekzekutive e Shoqatës Kombëtare të Bashkive, Adelina Farrici, vlerëson se reforma administrative-territoriale e vitit 2015 ka sjellë rezultate pozitive dhe ka forcuar ndjeshëm funksionimin e pushtetit vendor në Shqipëri.
Sipas saj, kjo reformë ishte një hap i domosdoshëm, i diskutuar prej vitesh, që synonte rritjen e eficiencës dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. “Realisht, ideja për reformën administrative territoriale ka ardhur që herët… dhe në vitin 2014-2015 u implementua një reformë e thellë me objektiva dhe ambicie të mëdha”, u shpreh Farrici.
Ajo thekson se gjatë këtij 10-vjeçari janë arritur rezultate konkrete në drejtim të organizimit dhe funksionimit të qeverisjes vendore. “Unë mendoj që kjo reformë realizoi shumë gjëra pozitive”, deklaron ajo, duke nënvizuar se bashkitë sot janë më të konsoliduara dhe më funksionale.
Farrici shton se pas një dekade zbatim, sistemi është maturuar dhe krijon mundësi për përmirësime të mëtejshme, duke u fokusuar tek forcimi i përfaqësimit dhe rritja e cilësisë së shërbimeve në të gjithë territorin.
Ajo shprehet se fuqizimi i njësive administrative, përmes shtimit të kompetencave dhe burimeve, do të ndihmonte në rritjen e efikasitetit dhe afërsisë me qytetarët. “Ka hapësira për ta përmirësuar më tej sistemin, duke i dhënë më shumë rol njësive administrative”, thekson Farrici.
Sipas saj, reforma e vitit 2015 mbetet një bazë e rëndësishme mbi të cilën mund të ndërtohen politika të reja për zhvillimin e qëndrueshëm të pushtetit vendor.

