Në një intervistë për emisionin “Dekalog”, ish-prokurori dhe aktualisht deputet i Partisë Demokratike, Arjan Ndoja, ka rikthyer në vëmendje atentatin ndaj tij të ndodhur më 1 nëntor 2019, një ngjarje që la pasoja të rënda.
Ai tregoi se gjatë udhëtimit drejt Sukthit, automjeti ku ndodhej bashkë me dy persona të tjerë u qëllua me armë zjarri, duke i lënë të gjithë të plagosur. Shoferi i mjetit, një i ri 23-vjeçar, ndërroi jetë disa ditë më pas si pasojë e komplikacioneve shëndetësore, ndërsa vetë Ndoja pësoi dëmtime të rënda në zonën pranë qafës, por arriti të mbijetojë.
Sipas tij, pavarësisht rrezikut serioz për jetën, nuk kishte asnjë konflikt apo detyrim personal ndaj autorëve të sulmit dhe nuk është ndjerë i intimiduar prej tyre. “Nuk kam pasur asnjëherë lidhje me këta individë,” u shpreh ai.
Ndoja u bëri thirrje publike autorëve që të dalin dhe të deklarojnë nëse ai ka pasur ndonjë detyrim ndaj tyre, duke kërkuar zbardhjen e së vërtetës për ngjarjen.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të mbrojtjes ligjore për magjistratët, duke e konsideruar çështjen të mbyllur në planin personal, por duke nënvizuar se e vërteta duhet të dalë në dritë, pavarësisht kohës që mund të marrë.


