Tensionet në Lindjen e Mesme po ndikojnë edhe në sportet motorike dhe po krijojnë pasiguri për kalendarin e garave ndërkombëtare. Ndërsa Formula 1 duket se është prekur vetëm pjesërisht nga kriza për momentin, situata paraqitet më e ndërlikuar për MotoGP.
Çmimi i Madh i Australisë në Melbourne pritet të zhvillohet sipas planit, pavarësisht disa vështirësive logjistike me të cilat po përballen skuadrat. Megjithatë, pikëpyetjet më të mëdha lidhen me javët në vijim. Në muajin prill janë parashikuar në kalendar edhe dy gara të rëndësishme në Lindjen e Mesme: Çmimi i Madh i Bahreinit dhe ai i Arabisë Saudite. Nëse tensionet në rajon nuk do të ulen, ekziston rreziku që edhe këto ndalesa të kampionatit të vihen në diskutim. Organizatorët e Formula 1 kanë bërë të ditur se po ndjekin nga afër zhvillimet dhe po vlerësojnë çdo skenar të mundshëm.
Situata paraqitet edhe më e komplikuar për MotoGP. Shefi Ekzekutiv i kompanisë që menaxhon Botërorin e MotoGP, Carmelo Ezpeleta, ka pranuar se zhvillimi i garës në Katar është i pasigurt në këtë moment.
“Është e vështirë që të shkojmë në Katar, por tani për tani nuk mund ta them me siguri. A do ta spostojmë garën? Mund të them vetëm se përjashtoj mundësinë që të zhvillohet në një vend tjetër. Jemi të qetë sepse kemi gjithmonë një Plan B”, u shpreh Ezpeleta.
Sipas kalendarit aktual, gara e MotoGP në Katar është planifikuar të zhvillohet gjatë fundjavës 10–12 prill në pistën e Lusailit, pranë Dohës. Organizimi i këtij eventi kërkon një operacion të madh logjistik, pasi zakonisht përfshin rreth 1200 persona staf dhe transportin e mbi 300 tonëve materiale, çka e bën edhe më të vështirë menaxhimin e situatës nëse tensionet në rajon vazhdojnë.


