Modelja shqiptare Misse Beqiri është rikthyer në vëmendjen e mediave ndërkombëtare pas përmendjes së emrit të saj në dokumente të lidhura me financierin amerikan Jeffrey Epstein – një çështje që vijon të ketë jehonë globale.
Sipas raportimeve të tabloidit britanik The Sun, në dokumentet e publikuara rikujtohet një takim i vitit 2011 mes Beqirit dhe Epstein. Burime pranë modeles kanë theksuar se ajo në atë kohë ishte shumë e re dhe në fillimet e karrierës, pa dijeni për të kaluarën penale të tij.
Sipas këtyre burimeve, takimi kishte ardhur si rezultat i premtimeve për mundësi në modeling. Ata insistojnë se asgjë e papërshtatshme nuk kishte ndodhur dhe se sot Beqiri ndjen keqardhje për viktimat, duke besuar se drejtësia duhet të vihet në vend.
Raportimet theksojnë se Epstein kishte shfaqur interes për modelen shqiptare, duke i propozuar udhëtim me avion privat drejt Parisit për një sfilatë mode dhe një automjet luksoz me vlerë rreth 100 mijë paund. Takimi i parë mes tyre thuhet se ishte zhvilluar në rezidencën e tij shtatëkatëshe në Manhattan.
Takimi kishte ndodhur disa muaj pasi Epstein kishte përfunduar një dënim prej 13 muajsh burg dhe një vit arrest shtëpie, pas vendimit të vitit 2008 për sigurimin e një të miture për prostitucion. Sipas një miku të saj, Beqiri në atë periudhë nuk kishte dijeni për të kaluarën e tij.
Jeta personale dhe tragjedia familjare
Në planin personal, Misse Beqiri u bë e njohur ndërkombëtarisht edhe si bashkëshortja e ish-portierit të Manchester United, Anders Lindegaard, me të cilin u martua në vitin 2016. Nga kjo martesë ata kanë një djalë, Julian.
Më pas, ajo pati një lidhje me Jake Hall, e cila përfundoi në vitin 2021. Nga kjo marrëdhënie lindi vajza e tyre, River.
Një nga ngjarjet më të rënda në jetën e saj mbetet vrasja e vëllait, Flamur Beqiri, i cili u qëllua për vdekje jashtë banesës së tij në Battersea, në prag të Krishtlindjes 2019. Sipas gjykatës, ai ishte i përfshirë në krim të organizuar dhe kishte konflikte me grupe rivale në Skandinavi. Për këtë ngjarje, Anis Hemissi u dënua me burgim të përjetshëm, me minimum 35 vite.
“Një kapitull i ri” në ekran
Rikthimi i saj në televizion vjen me pjesëmarrjen në sezonin e ri të Ladies of London: The New Reign. Beqiri e ka cilësuar si “surreal” momentin kur pa billboardin me imazhin e saj, duke theksuar se rrugëtimi i saj nuk ka qenë i lehtë.
“Jeta nuk më është dhënë në një pjatë të artë. Nuk jam perfekte, por e di vlerën time dhe jam rritur si person”, është shprehur ajo.
Rikthimi në ekran përfaqëson për modelen një mundësi të re mes famës, polemikave dhe plagëve personale – ndërsa e kaluara mbetet një pjesë e historisë që vazhdon ta ndjekë.


