Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, reagoi sërish pas përshkallëzimit të protestës së opozitës, ku u hodhën lëndë piroteknike dhe molotov edhe në drejtim të xhamisë së Namazgjasë në kryeqytet.
Në momentin e përplasjeve mes protestuesve dhe efektivëve të policisë, brenda xhamisë ndodheshin besimtarë që po kryenin ritualet fetare të muajit të Ramazanit.
Koçiu u shpreh se “sot kryeqyteti u nda në dy realitete që nuk kanë asgjë të përbashkët”, duke theksuar kontrastin mes besimtarëve në lutje dhe protestuesve të dhunshëm.
“Ndërkohë që dëgjohet lutja, ulërijnë britmat për shkatërrim. Është një kontrast që të lë pa fjalë: lutja përballë mallkimit, qytetaria përballë vandalizmit”, deklaroi ajo.
Ministrja kërkoi ndjesë ndaj besimtarëve që u përballën me situatën e gazit lotsjellës, ndërsa shtoi se përballë “kësaj marrëzie që djeg qytetin për hallin e karriges së një njeriu”, mbetet vetëm një fjali: “Fali Zot, se nuk dinë ç’bëjnë.”


