Agjenti i Jurgen Klop, Mark Kosike, foli hapur për disa oferta të rëndësishme, konkretisht nga klubet angleze, që gjermani mori në 2024-ën kur u largua nga Liverpuli.
“Para se të nënshkruante për Red Bull, Klop mund të kishte drejtuar Shtetet e Bashkuara ose Anglinë. Ndoshta edhe Gjermaninë, nëse Julian Nagelsman nuk do të kishte qenë tashmë atje. Edhe Çelsei dhe Mançester Junajtid ishin të interesuar për të, megjithëse Jurgen e kishte bërë të qartë se nuk do të drejtonte asnjë klub tjetër në Angli. Këto oferta vazhdojnë të vijnë”, deklaroi Mark Kosike në një intervistë me Transfermarkt.
“Ndoshta në një moment ai do të thotë se duhet të kthehet në dhomën e zhveshjes, por për momentin është shumë, shumë i lumtur me rolin e tij dhe atë që ka arritur. Është ende e mrekullueshme të mbahesh në histori si një nga të paktët trajnerë që ka drejtuar vetëm tre klube dhe nuk është shkarkuar kurrë.”– përfundoi ai./PanoramaSport


